BAROJAT E KËQIJA!

Në kuptimin e gjerë me baroja nënkuptohen të gjitha bimët e pa dëshiruara në ngastër të mbjellë me një kulturë të caktuar. Nga aspekti ekonomik i kultivimit të bimëve, barojat mund të kenë ndikim mjaft negativ në rendimentin e bimëve. Në sipërfaqet e mbjella, baroja janë të gjitha bimët e egra që paraqiten (mbijnë) në to por si baroja konsiderohen edhe kultura bimore të cilat rriten në vende ku nuk janë të dëshiruara.
P.sh., barojë mund të konsiderohet edhe bima e elbit apo e tërshërës nëse rritet ne sipërfaqe të mbjella me grurë.
Barojat janë të vjetra sa edhe kultivimi i bimëve. Që nga koha kur njeriu filloi të merret me kultivimin e bimëve e deri në ditët e sotme ato janë pjesë e pandashme në sipërfaqet e kultivuara.
Barojat shkaktojnë dëme të mëdha kulturave bujqësore duke ju bërë atyre konkurrencë në shfrytëzimin e lagështisë, plehrave, dritës, etj. Janë shumë lloje të barojave, disa paraqiten tek të gjitha kulturat bujqësore e disa vetëm në kultura të caktuara (si psh lulekuqi tek gruri).
Në përgjithësi barojat dallohen me disa veti të cilat ato i bëjnë më të qëndrueshme në raport me bimët e kultivuara:

Adaptueshmëri e lartë

• Qëndrueshmëri të lartë në raport me kushtet e mjedisit të jashtëm
• Reproduktim shumë i lartë dhe i shpejt
• Formimi i sasisë së madhe të farës
• Qëndrueshmëria e lartë ndaj sëmundjeve dha faktorëve të mjedisit
• Shpejtësia e rritjes dhe gjatësia e vegjetacionit
Barojat e këqija mund të ndahen në bazë të kritereve të ndryshme. Ka baroja një, dy apo shumë vjeçare. Që shumohen përmes farës apo në mënyrë vegjetative, me vegjetacion të shkurtë apo të gjatë etj.
Një grup të veçantë të barojave e përbëjnë barojat parazite dhe gjysmë parazite. Këto zhvillohen në bimë të kultivuara dhe nga to marrin ushqimin dhe lagështinë duke dëmtuar shumë bimët e kultivuara.
Mënyrat e përhapjes së barojave mund të jenë të ndryshme:
• Përmes erës
• Ujit
• Kafshëve
• Njeriut, etj.
Dëmet nga barojat janë shumë të mëdha tek bimët e ndryshme, niveli i këtyre dëmeve varet na niveli i paraqitjes së barojave dhe masave mbrojtëse që merren për mbrojtjen e bimëve të kultivuara nga barojat. Në shumë raste ato mund të ndikojnë në uljen e rendimentit deri në 20 %, por ka raste kur ato ndikojnë edhe në përqindje shumë më të madhe.
Mënyrat kryesore si si ato shkaktojnë dëme janë:
• Duke u rritur në të njëjtën hapësirë me bimët e kultivuara ato ju bëjnë konkurrencë bimëve në shfrytëzimin e dritës.
• Për shkak të adaptueshmërisë së lartë ato shfrytëzojnë më mirë materiet ushqyese dhe lagështinë që gjendet në tokë.
• Ndikojnë në uljen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimeve bujqësore
• Në disa raste mund të ndikojnë në shtrirjen (ramjen) e bimëve, sidomos tek drithërat
• Disa baroja mund të jenë bartës të sëmundjeve dhe dëmtuesve të ndryshëm të kulturave bujqësore.
• Barojat mund të shkaktojnë edhe pamje të shëmtuar të sipërfaqeve të mbjella por edhe të mjedisit që na rrethon, etj.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *