Ruajtja e frutave!

Mundësia për të zgjatur sa më shumë kohëne tregtimit të frutave përbën një aspekt tjetërekonomik mjaft të rëndësishëm. Për këtëështë e domosdoshme që ruajtja e frutave tëbëhet në mënyrat më të mira dukerespektuar e ruajtur veçoritë organoleptikedhe ato bromatologjike të ftutave. Gjithashtu gjatëruajtjes duhen evituar mundësitë përshfaqjen e sëmundjeve fiziologjike.

Ruajtja me sukses e frutave nuk kufizohet vetëm me zgjedhjen e kushteve më të mira të ruajtjes, ajo varet edhe nga faktorët pedoklimatikë e agronomik që kanë shoqëruar kalimin e fazave të formimit dhe rritjes së frutit. Ndërmjet tyre do të përmendim: klima, tipi i tokës, lloji i plehrave të përdorura, trajtimet e kryera etj. Sa i përket klimës do të theksonim së frutat ruhen mirë kur gjatë ciklit të frutifikimit nuk ka pasur reshje të tepërta, ndriçimi dhe nxehtësia kanë qenë në kufi optimalë, përkundrazi në vite me reshje të shumta dhe luhatje të temperaturave ruajtja e frutave është e vështirë. Karakteristikat fiziko-kimike të tokës ndikojnë në ndryshimin e disa treguesve të frutit p.sh njollosja e frutave të mollës dhe nxirja e tulit tek dardha vërehen kur ato kultivohen në toka ranore e të thata, ndërsa në toka të rënda argjilore molla shton peshën e frutit por ai humbet konsistencën.
Edhe përdorimi i tepruar i azotit pakëson fortësinë e frutit dhe favorizon shfaqjen e sëmundjeve fiziopatologjike. Po ashtu frutat e ruajtur dhe trajtuar me preparate metabolike të tipit etephon për të nxitur pjekjen e përshpejtuar paraqesin vështirësi për ruajtje prandaj destinohen për konsum të menjëhershëm.
Për të penguar shfaqjen e shumë sëmundjeve është e këshillueshme që në momentin e larjes të përdoren preparate të tretshme në ujë. Kur frutat destinohen të ruhen në dhoma frigoriferike mund të trajtohen për disa ditë me CO2 dhe SO2 përqendrimi i të cilëve është më varësi të species dhe kultivarit.
Dhomat frigoriferike që përdoren për ruajtjen e frutave kanë kapacitete të ndryshme dhe janë të pajisura me aparatura të caktuara që lejojnë ruajtjen e pandryshueshme të temperaturës, lagësisë dhe ajrimit. Kapaciteti i dhomës frigoriferike duhet të jetë në varësi të sasisë së prodhimit që duam të vëmë në ruajtje dhe periudhës së ruajtjes. Për ruajtjen e frutave për një kohë të gjatë (frutat e dimrit) kapaciteti i këtyre dhomave nuk duhet të jetë më i madh se 2000 m3. Dhomat e mëdha frigoriferike kanë kosto më të ulët për njësi volumi por manifestojnë çrregullime në ruajtjen jo uniforme të temperaturës, ajrimit etj. Teknikat e ftohjes në atmosferë të kontrolluar ka gjetur zbatim për herë të parë në Angli rreth viteve 1920. Nga kërkimet e bëra rezulton së ekziston mundësia e dyfishimit të ruajtjes së frutave duke evituar fenomenin e tejpjekjes dhe humbjes së cilësisë.
Metoda e atmosferës së kontrolluar përfshin uljen e temperaturës, pakësimin e përqendrimit të O2 dhe kontrollin e përqendrimit të CO2. Ulja e përqendrimit të oksigjenit është thelbësore sepse ndikon në pakësimin e frymëmarrjes së frutit dhe rrjedhimisht zgjatet koha e ruajtjes. Në dhomat me klimë të kontrolluar përqendrimi i O2 nuk duhet të zbresë nën 2% sepse nxit proceset anerobike duke përkeqësuar treguesit organoletpik dhe ata të cilësisë në tërësi, p.sh tek molla vërehet shija alkoolike dhe nxirje e epidermës. Prania e një përqendrimi të caktuar të CO2 përveçse pakëson procesin e frymëmarrjes ngadalëson dhe sintezën proteinike dhe veprimtarinë pektolike, për rrjedhojë tuli i frutave ngelet i fortë i lëngshëm dhe më pak i ndjeshëm nga ndryshimet fiziologjike.
Përqendrimi i CO2 është i ndryshëm për specie të ndryshme; një përqendrim i lartë p.sh 5% për mollën dhe 10% për dardhën ndihmon në shfaqjen tjetërsimit të tulit si zbutje, nxirje, dhe kalbje. Impiantet e ftohjes me atmosferë të kontrolluar kërkojnë vendosjen e aparaturave specifike që janë në gjendje të ruajnë temperaturë optimale dhe një raport të drejtë CO2. Ato duhet të kenë izolim të mirë nga ambienti i jashtëm. Gazi karbonik që lëshojnë frutat gjatë frymëmarrjes së tyre duhet të nxirren jashtë në mënyrë që atmosfera e brendshme të ruajë parametra të pandryshuar. Për këtë qëllim përdoren pajisje dekarbonizuese që janë në gjendje të fiksojnë CO2 e lëshuar gjatë frymëmarrjes.


Përcaktimi i përqendrimit të gazeve në dhomën e ruajtjes bëhet pasi frutat të kenë arritur një shkallë ftohjeje. Pakësimi i oksigjenit bëhet gradualisht. Për këtë mund të bëhet një larje e atmosferës duke kryer spërkatje të dhomës me azot të lëngshëm ose të gaztë. Intensiteti i spërkatjes duhet të jetë i ngadalshëm për të evituar përzierjen e gazeve. Për të arritur përqendrimin e O2 në kufijtë 7-8% nevojiten zakonisht 4-6 orë, ndërsa volumi i azotit të përdorur pothuajse i barabartë me volumin e dhomës bosh.

Frytet ruhen në depo, të cilat janë 3 llojesh: 1. mbitokësore, 2. gjysme nëntokësorë, 3. nëntokësore. Në të tria llojet e depove vendosja e fryteve për konservim mund të kryhet në tokë, në hambarë ose në rafte.

Depot që përdoren zakonisht në vendin tone ajrosen me anë të kanaleve të ajrosjes dhe të oxhakëve që ka çatia. Rregullimi deri diku i kushteve të konservimit kryhet në këtë mënyrë:
Duke ulur deri në njëfarë mase temperaturën, gjë që arrihet duke çelur dyert gjatë natës (në stinën e verës). Gjatë dimrit ngritja e temperaturës mund të arrihet me mbylljen e dritareve, të dyerve dhe ndezjen e pajisjeve për ngrohje . Ky proces duhet të shoqërohet me ngritjen e lagështirës relative të ajrit. Lagështia relative e ajrit ngrihet duke varur thasë të lagur. Këto mjedise duhet të jenë të pajisura me termometra për matjen e temperaturës dhe higrometra për matjen e lagështirës relative të ajrit. Gjatë konservimit duhet të kontrollohen në mënyrë sistematike, pothuajse çdo ditë, frytet e vendosura në konservim, duke mënjanuar kokrrat e tejpjekura, të mykura ose të kalbura. Në qoftë së vihen re shfaqje sëmundjesh, duhet të kryhet shpejt dezinfektimi i bazuar në karakterin e infeksionit.
Mollët dhe dardhët ruhen mirë edhe në frigoriferë në temperature + 1°C me lagështirë relativisht jo më të vogël së 85%. Nuk lejohet që lagështira të kalojë mbi 95%. pasi në raste të tilla në frytet, arkat dhe muret, zhvillohet myku, i cili shtohet kur mjedisi është i pa ajrosur. Janë bërë prova për konservimin e mollëve në mjedis të pasur me C02, pa oksigjen ose me përmbajtje të ulët të oksigjenit. Kjo mënyrë e konservimit që quhet mënyra me “atmosferë të kontrolluar”, ka dhënë rezultate të mira. Kusht i domosdoshëm për zgjatjen e periudhës së konservimit është gjendja e frytit në kohën para konservimit.


Frytet për konservim duhet të vilen në kohën e pjekjes fiziologjike, në rast së kalojnë në fazën e pjekjes për konsum, qëndrueshmëria e frytit dobësohet, ai dëmtohet lehtë nga goditjet mekanike dhe nuk mund të ruhet për një kohë të gjatë. Më mirë ruhen frytet që kanë madhësinë mesatare të llojit të dhënë. Frytet që do të përdoren për ruajtje, duhet të jenë të pa-prekura nga sëmundjet dhe dëmtuesit dhe të padëmtuara nga goditjet mekanike. Për të realizuar këto kërkesa duhet që vjelja të bëhet sa më e kujdesshme, magazinat dhe depot e ruajtjes të mos jenë në largësi të mëdha, rrugët të jenë të mira, transportimi të kryhet me mjete të përshtatshme dhe gjatë përzgjedhjes të mënjanohen ato fryte që janë sa do pak të dëmtuara.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *