Çka është Mulçërimi?

Fjala mulçërim është përafrim i fjalës mulch nga gjuha angleze, nuk ka ndonjë fjalë shqipe specifike që mund të përkthehet. Në agronomi përdoret fjala mulçërim dhe e ka kuptimin e mbulimit të tokës me foli plastike, gurë dhe zhavorr, apo me materiale organike si ashkla druri, sanë, kashtë, copa bari, tallash, gjethe të copëtuara, hala pishe etj. Me fjalë të thjeshta mulçërim quhet çdo material që përhapet ose vendoset mbi sipërfaqen e tokës si mbulesë.

Mulçërimi përdoret për të mbajtur lagështin në tokë, për të parandaluar rritjen e barojave të këqija, për ta mbajtur tokën të freskët, për të parandaluar ngrirjen nga ngricat në dimër dhe për ta bërë dekorimin e kopshtit. Mulçërimi me materie organike gjithashtu ndihmon në përmirësimin e strukturës së tokës, kullimin dhe aftësinë mbajtëse të ujit në tokë, dhe rritë aktivitetin mikrobiologjik gjatë zbërthimit.

Llojet e Mulçërimit Organik

Ashklat e drurit

Kashta dhe sana

Gjethe të copëtuara

Halat e pishës     

Mulçi organik  do të dekompozohet dhe duhet të zëvendësohet. Vlen të dimë origjinën e mulçit, pasi që ai mund të përmbajë fara të barojave të këqija ose kimikate. Gjëja e fundit që dëshirojmë është të përhapim një mulç që do të fillojë të mbin dhe të zhvillohen barojat e këqija ose të ndotim bimët me kimikate. Secili lloj i mulçit organik ka përdorimin e vet.

Ashklat e drurit

Ashklat e drurit përdoren më shumë rreth pemëve dhe shkurreve. Janë mjaftë të mira për parandalimin e rritjes dhe zhvillimit të barojave të këqija, nuk përzihen mirë me tokën dhe kanë jetëgjatësi më të gjatë sepse dekompozohen më ngadalë.

Kashta dhe sana

Kashta dhe sana përdoren shumë si mulç sidomos gjatë kultivimit të dredhëzës sepse mbron frutat kontakti me dheun, nga ndotja gjatë reshjeve të shiut dhe ndalon rritjen e barojave të këqija. Kashta dekompozohet shumë ngadalë dhe do të zgjasë gjithë sezonit të rritjes. Kashta dhe sana mund të jenë një rrezik zjarri dhe mund të sjellin shumë fara të barojave të këqija.

Gjethe të copëtuara

Gjethet e copëtuara janë mulçi i preferuar i natyrës. Ato mund të përdoren si mulç kudo dhe kanë përparësinë e shtuar sepse janë falas.  Disa kopshtar nuk e pëlqejnë pamjen e gjetheve në kopshtin e tyre, dhe nuk janë të përshtatshme për një mjedis zyrtar. Gjethet e copëtuara janë perfekte për kopshtet, nëse shtrini një shtresë mbi kopshtin tuaj të perimeve në vjeshtë, ato do të fillojë të zbërthehen gjatë dimrit dhe ta pasurojnë tokën me materie organike.

Halat e pishës

Halat e pishës të cilat kanë rënë në tokë dhe kanë filluar të marrin ngjyrë kafe mund të përdoren si mulç. Ato dekompozohen shumë ngadalë dhe janë mjaftë të lira. Janë shumë të përshtatshme të përdoren si mulç tek bimët e boronicës pasi që kanë pH acidike.

 

Mulçërimi me materiale sintetike dhe inorganike

Mulçet sintetike dhe inorganike bëjnë një punë të mirë në mbajtjen e lagështisë së tokës dhe bllokimin e barërave të këqija. Ato nuk shtojnë asnjë lëndë ushqyese në tokë, por nuk zbërthehen shpejt dhe nuk kërkojnë zëvendësim aq shpesh sa mulçet organike. Sidoqoftë, ndërsa plastika zbërthehet, është e dëmshme për tokën dhe ambientin.

Si mulç sintetike dhe inorganike përdoret foli plastike dhe gurët ose zhavorri.

Folia plastike përdoret shumë në kultivimin e perimeve dhe pemëve të imëta, ndalon barojat e këqija, mban tokën e lagësht dhe të shkrifët. Folia plastike varësisht nga përdorimi mund të jetë me ngjyrë të bardhë ose të zezë. Foli me ngjyrë të bardhë përdoren në zonat me rrezatim të lartë diellor për të reflektuar rrezet e tepërta të diellit ndërsa foli me ngjyrë të zezë përdoret me qëllim të rritjes së temperaturës së tokës pasi që ngjyra e zezë i thithë rrezet e diellit. Ka jetëgjatësi të madhe por ka kosto më të lartë se sa mulçet organike.

Gurët dhe zhavorri përdoren në zona që kërkojnë kullim të mirë dhe tekë bimët që pëlqejnë pak nxehtësi shtesë. Përdoren shumë në kopshte private për dekorim pasi që kanë forma dhe ngjyra të ndryshme.

 

 

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *