Përgatitja e tokës për mbjelljet vjeshtore!

Gruri është një nga katër kulturat kryesore që mbillen në rruzullin tokësor. Ky plotëson mbi 30 %
të nevojave të popullsisë së Evropës në kalori. Për të plotësuar nevojat e veta me grurë, Kosovës i duhet të prodhojë mbi 400 mijë tonë në vit. Kjo sasi e grurit është e mjaftueshme për të ushqyer rreth dy milionë banorë me një konsum 180-200 kg për person. Të dhënat statistikore tregojnë se në Kosovë mbillen 70.000 – 80.000 ha me grurë, nga të cilat sipërfaqe realizojmë akoma rendimente mesatare të ulëta në shkallë vendi (4,5-5,5 t/ha).

Përgatitja e tokës për mbjellje dhe plehërimi

Përgatitja e tokës për mbjellje përfshin lërimet, përgatitjen e shtratit të mbjelljes, nivelimin, plehërimin bazë etj.

Punimi bazë (lërimi) është njëra nga masat më të rëndësishme agroteknike që ndikon drejtpërsëdrejti në prodhimtarinë e grurit, sepse nga cilësia e tij varet edhe cilësia e përgatitjes së shtratit të mbjelljes, mbjellja dhe zhvillimi më pas i bimëve të grurit. Nga kjo varen edhe sigurimi i kushteve optimale për zhvillimin e bimëve.

Koha e punimit të tokës për grurë varet nga kultura pararendëse. Nëse është e lashtë ose kolzë mund të bëhet në fillim përmbysja e mbetjes së kashtës, d.m.th. pastrimi i hamullorëve në thellësi prej 12-15 cm. Kjo mundëson mbirjen e barojave dhe aktivitetin më të madh mikrobiologjik në tokë. Ndërsa gjatë muajit shtator bëhet lërimi i thellë 25-30 cm. Nëse parabima është misër, perime, luledielli apo panxhar mund të bëhet direkt plugimi i thellë pas vjeljes dhe heqjes së masës bimore.

E rëndësishme është sistemimi i tokës para mbjelljes. Kjo diktohet nga fakti se gjatë dimrit bien reshje dhe nëse toka është e sistemuar keq atëherë gropat që krijohen mbajnë lagështi që çojnë në tharjen e bimëve nga prania e tepërt e saj. Kësaj mase agroteknike kultivuesit e grurit në Kosovë nuk i kushtojnë shumë kujdes. Por për grurin është e rëndësishme krijimi i shtratit të mbjelljes gjë e cila realizohet nëpërmjet kultivimit ose frezimit.

Përgatitja e tokës shoqërohet me hedhjen e plehrave minerale. Për kushtet tona rekomandohet të hidhen 100 deri në 130 kg N/ha, 90 deri 120 kg P2O5/ha dhe 70 deri në 100 kg K2O/ha. Për një plehërim racional jo vetëm të grurit por edhe të çdo kulture, kërkohen analiza të posaçme të përmbajtjes së lëndëve ushqyese në tokë (analiza e tokës). Sa i përket mënyrës së hedhjes së plehrave rekomandohet që plehrat fosforike dhe potasike të hidhen: 2/3 para plugimit të thellë dhe 1/3 në diskimin e fundit me një sasi të azotit. Sasia tjetër e plehrave azotike hidhet në dy deri në tre duar gjatë vegjetacionit.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *